Lipidograma është një ekzaminim që tregon nivelin e yndyrave në gjak, përkatësisht kolesterolit, triglicerideve dhe nënklasave të tyre. Kolesteroli është një substancë thelbësore në organizmin e njeriut, pasi gjendet në përbërjen e membranave qelizore, si dhe merr pjesë në sintezën e hormoneve apo në proceset e tretjes dhe të përthithjes së ushqimeve.
Një pjesë e kolesterolit qarkullon në gjak në formën e komplekseve lipoproteinike, përkatësisht: HDL – C (kolesteroli i mirë) që e largojnë kolesterolin nga qarkullimi dhe LDL – C (kolesteroli i keq) që e depozitojnë atë në inde dhe organe. Është shumë e rëndësishme mbajtja në nivelet e lejuara të kolesterolit, pasi në nivele të larta ai depozitohet në formën e pllakave aterosklerotike në enët e gjakut duke i ngushtuar ato dhe duke shtuar riskun për sëmundje kardiovaskulare.
Trigliceridet janë një burim i rëndësishëm energjie për organizmin. Ato ndodhen në indin dhjamor, por qarkullojnë edhe në gjak, shumica e tyre të lidhura me disa lipoproteina VLDL.
Përveç mënyrës së të ushqyerit, në rritjen e triglicerideve në gjak, ndikon edhe stili i jetesës, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, alkooli apo patologji si diabeti dhe sëmundjet renale.